Me dashuri ua kushtoj këtë libër

Progresi historik i Fterres tone

Kumtesë

 

PROGRESI HISTORIK I FTERRËS SONË

 

Të bësh progres do të thotë  të ecësh përpara, të kalosh në mënyrë graduale nga e vjetra në të renë, të ngjitesh shkallë-shkallë nga niveli i ulët në një nivel më të lartë, do të thotë të mënjanosh të vjetrën e të përkrahësh të renë, të mohosh regresin e të mbështetësh progresin, që çon përpara liritë e të drejtat natyrore e shoqërore të njeriut dhe, njëherazi, të ndikosh e të kontribuosh në civilizimin e shoqërisë, në të cilën jeton. Dhe ky progres duket në nivelin e vetëdijes vetiake e shoqërore, në aftësitë psiqike, në mënçurinë popullore e në dijen intelektuale, në zhvillimin arsimor e kulturor, në vetitë etiko-morale, në zhvillimin e përgjithshëm mendor.

Parë me këtë sy, Fterra jonë, në përshtatje me kohën, ka ditur dhe të kuptojë, por dhe t’i përgjigjet kohës, duke bërë progresin gradual të mundshëm të saj, brenda kuadrit të krahinës Kurvelesh-Bregdet dhe brenda kuadrit të përgjithshëm, duke qenë e parë me të parët.

Fterra jonë përmendet për herë të parë, e shkruar, në “Defterin turk” më 1431, me emrin “Efteran”, me 12 hanè dhe në dokumentin e dytë, pas 152 vjetësh, më 1583, me 60 hanè-shtëpi, ku vetëm 9 kryefamiljarë fterjotë ishin konvertuar në myslimanë, kur Kuçi regjistronte 41, Çorraj 44 dhe Borshi 75, në të cilat të gjitha familjet ishin të krishtera. Emri i Fterrës na del edhe  në një vjershë popullore, në luftën për liri kundër ushtrisë turke, komanduar nga sulltan Sulejman Kakoniu, që erdhi në nahijen e Himarës në vitin 1537, kur Maro Kondia, “Bijë Fterre, Nuse Çorraje”, që i përket krenarisë së dy fshatrave tona, Fterrë e Çorraj, hyri në ndërgjegjen shqiptare si legjendë në histori. Fterra del përsëri në skenën e dokumenteve, rreth 240 vjet më vonë, në kohën e Tanzimatit, kur në Kurvelesh u thurën vargjet me pyetjen : “Kush e bëri gurgulenë?” Dhe vjen përgjigja: “Kuç, Kallarat e Bolenë/ Me një Mulla Lazo Fterrë”.

Edhe në periudhën e Rilindjes Kombëtare, Fterra bëhet e njohur me bijtë e saj në Stamboll edhe për hoxhë, edhe për kadì apo nëpunësira, por përherë me veprimtari atdhetare. Për këtë flet dhe viti 1878 në Luftën e Lëkurësit, kur “Islam Fterra armë-larë,/ U vra në uxhum të parë./

Fterra ka dashur progresin, ka ëndërruar për liri e demokraci. Prandaj dhe i është përgjegjur çdo momenti historik, siç iu përgjegj dhe përpjekjeve për pavarësi më 1912, luftës për vatanin më 1913-1914, pjesëmarrjes në Luftën e Vlorës, më 1920, me 48 burra në çetën e Fterrës, me komandant  Xhafer Shehun, ashtu siç iu përgjegj dhe pjesëmarrjes së saj masive me 45 partizanë në Luftën Antifashiste ANCL, me komisarin e Fterrës, Hiqmet Dushën, ashtu siç përqafoi dhe demokracinë më 1990-1991.

Në progresin e Fterrës ka ndikuar ndjeshëm dhe lëvizja e fterjotëve, edhe “kurbeti” jashtë vendit dhe nëpër Shqipëri në shekullin e 19-të, që u bë i ndjeshëm në vitet 1920-1940 dhe akoma më shumë në periudhën 1950-2000. Si rezultat e kësaj lëvizjeje, tashmë, vetëm në Tiranë janë 190 familje fterjote-tiranase, Sarandë mbi 70, Vlorë mbi 40, Durrës 16, ndërsa në Greqi mbi 60 dhe në Itali, SHBA, Kanada mbi 50

familje fterjote, përveç jo pak të tjerë djem e vajza, disa prej të cilëve janë bërë dhe nënshtetas të Amerikës apo Kanadasë. Ndërsa në Fterrën tonë, aktualisht janë 53 familje me mbi 150 banorë, të cilët mbajnë gjallë Fterrën dhe na nxisin të vijmë këtu herë pas here. Pra, sipas të dhënave që disponojmë rezulton, që jashtë Fterrës nëpër Shqipëri janë 362 familje, ndërsa jashtë Shqipërisë janë 120 familje. Sipas këtij studimi del se tashmë jemi rreth 2350 fterjotë pa llogaritur  dot moshën fëminore.

Fterra jonë, brenda kushteve të kohës, ka bërë progres edhe në mënyrën e jetesës, edhe në emancipimin e grave fterjote, duke lënë pas të vjetrën e duke përqafuar të renë, dhe për edukimin e arsimimin e fëmijëve dhe për civilizimin qytetar të komunitetit fterjot, ndryshe nga çka ka ndodhur në bujqësi e blegtori, që shkoi drejt rënies, si pasojë e eleminimit të pronës private, duke u mohuar iniciativa e lirë e individit, që tashmë ka filluar të zhvillohet normalisht.

Ky progres duket dhe në zhvillimin ekonomik në një nivel të pranueshëm për të përballuar jetën, duke u bazuar në një ekonomi të përzier, pak nga të gjitha, prodhimet blegtorale e bujqësore, deri te rritja e bletës, por me pak shkëmbim në natyrë e me tregti të vogël. Sigurisht jeta ka qenë dhe e vështirë, por brenda kushteve të kohës. Fterra ka bërë një jetë të qetë me psikologjinë e fshatarit që kënaqet me pak, por ama, pa njohur  historikisht; as vjedhje, as vrasje e as hasmëri, as brenda Fterrës e as me fqinjët. Këtu nuk ka pasur lypës e as hyzmeqarë te njeri-tjetri, si në gjithë zonën e Kurvelesh-Bregdetit, ku përherë kanë qenë fshatra të mbledhura, kryesisht me martesa brenda fshatit, apo në fshatrat fqinjë e jo më larg, ku lidhjet e gjakut e të njohjes dhe krenaria labe-bregdetare, nuk lejonin që të kishe as bej e as agá. Secili jetonte me djersën e familjes së vet, sipas të drejtës zakonore dhe normave etiko-morale të fshatit e krahinës, duke ndihmuar e bashkëpunuar njeri me tjetrin. Kur familja ndodhej në vështirësi ekonomike, atëhere rrugëdaljen e gjente në kurbet, siç e gjeti në vitet ‘90-të e këtej. Njëkohësisht, ishte dhe dëshira për të parë botën, ishte dhe vullneti për të ndërtuar një jetë më të mirë, ashtu siç ishte zelli për shkollë. Të gjitha këto së bashku, kanë qenë faktorët kryesorë, që i kanë nxitur fterjotët të ikin, dikur në kurbet, ndërsa tani në emigracion.

Në këtë natyrë e në këtë klimë, Nënat tona kanë lindur e rritur bij e bija me trashëgimi të pastër gjenetike, përjashto raste të rralla. Bijtë e bijat fterjotë janë shquar për “brumë gruri”, i cili kur është pjekur në “furra” cilësore të shkollave, është transformuar në cilësi intelektuale.

Në Fterrën tonë ka sunduar kryesisht koncepti i jetës civile, i shfaqur në prirjen dhe zellin për të mësuar e studiuar, duke mos iu ndarë gjithë jetës rrugës së dijes. Arsimimi i fterjotëve ka nisur herët. Dimë që në kohën ë Turqisë, jo vetëm ata që ikën në kurbet, por edhe ata që ishin në Fterrë shkonin në xhaminë-mejtep, ku mësonin dhe “Sheriatin”, librin me rregullat e fesë e të jetës. Në xhamì shkonin kryesisht gratë dhe më pak burrat. Kjo ka bërë që shumë gra të Fterrës, krahas besimit te Zoti, morën dhe kulturë fetare e morale, madje dhe njëfarë kulture të gjuhës turke.

Në këtë periudhë Fterra u shqua për shumë hoxhë. Kështu në 20-30 vitet e fundit të shekullit të 19-të dhe në vitet e para të shekullit të 20-të, nga Fterra kishin mbaruar për hoxhë e kadì mbi 40 fterjotë, të cilët pas viteve 20-të të shekullit të kaluar kanë shërbyer herë si hoxhë-besimtarë e herë si mësues të gjuhës shqipe në fshatra të ndryshme, kryesisht të Labërisë, aq sa u krijua provrebi : “Fterra 80 shtëpi-100 hoxhë”, duke u konvertuar në mësues pas çeljes së shkollave shqipe në shumë fshatra të krahinës së Labërisë nga viti 1916 e këtej.

Progresi më i ndjeshëm e më i dukshëm për Fterrën ka qënë e mbetet shekulli i 20-të, kur fterjotët në mënyrë masive iu vërsulën dijes. Tregues i parë është në vitin 1905, kur mullá Hasan Hizmo solli në Fterrë Abetaren e parë në gjuhën shqipe. Ndërsa me hapjen e shkollës së parë shqipe më 1916, me mësuesin e parë mullá Selim Gjonika, u bë hapi vendimtar historik për Fterrën, sepse fterjotët iu futën rrugës së diturisë në gjuhën shqipe.

Në vitet 1920-1930 disa bij të Fterrës nisën rrugën e mësuesisë. Kështu shkuan në Normalen e Elbasanit njeri pas tjetrit nëntë fterjotë. Shembull i shquar u bënë mësuesit e parë: Neim Zani  në Fterrë (“Mësues i Merituar”), Lame Xhama në Sarandë (“Mësues i Popullit”) dhe Xhevdet Kofina në Vlorë (“Mësues i Popullit”), të cilët punuan me pasion mbi 40 vjet, pa u larguar asnjëherë nga katedra e mësuesit, deri sa dolën në pension në vitet ‘60-të. Ky shembull i veçantë nxiti djem e vajza nga Fterra që të ndiqnin shkolla pedagogjike. Ndaj, sidomos në vitet 1950-2000, kanë mbaruar për mësuesi mbi 120 bij e bija fterjotë, prej të cilëve shumica dërrmuese me universitet, midis tyre 10 janë me titullin Profesor. Ndaj kënga fterjote thotë: O portat e gurta, / Ç’burra kini nxjerrë, / Mbi 100 mësues, / Dije kanë mbjellë./

Por bijtë e Fterrës kanë preferuar dhe shkolla të tjera të larta. Kështu për drejtësi kanë mbaruar 18, për mjekësi 52, ekonomistë e financierë 33, inxhinierë 37, artistë e krijues 10, agronomë e veterinerë 10 dhe përveç 15 partizanë nga Lufta NCL që u bënë oficerë, janë dhe mbi 30 të tjerë që kanë mbaruar studimet e larta ushtarake.

Nga treguesit e 50 vjetëve të fundit, deri në vitin 2000, del se nuk ka asnjë familje fterjote që fëmijët e vet të mos kenë mbaruar që të gjithë shkollën 7-8 vjeçare. Kështu 7-8 vjeçaren e kane mbaruar të gjithë të lindurit e viteve ’50-‘60-të e këtej. Shkollë të mesme i bie mesatarisht të kenë mbaruar dy-tre veta në çdo familje, ndërsa të lartën e kanë mbaruar mbi 300 fterjotë. Mbi 50 vetë janë shquar si specialistë e krijues dhe me tituj e grada shkencore, duke ecur në traditën e më të mirëve. Në familjet e trungut të prindërve të viteve 50-’60-të, del se në 100 shtëpi, i bie të kenë mbaruar, mesatarisht, 2-3 vetë shkolla të larta. Ky arsimim masiv prodhoi dhe cilësi në mësuesì, drejtësì, inxhinierì, në art e kulturë, e deri në krijimtari letrare artistike e shkencore.

Kjo traditë vazhdon edhe më mirë në kushtet e demokracisë, kur fterjotët fituan më shumë liri e të drejta, më shumë hapësira dhe për pjesëmarrje më të madhe në shkolla, kur numri i bijve fterjotë është rritur shumë, sidomos në emigracion, ku mjaft fterjotë kanë mbaruar studimet ose pjesërisht ose plotësisht, sidomos në Greqi, por më shumë në SHBA e Kanada. Nga sa dimë ne, këto shkolla i kanë mbaruar mbi 30 vetë, nga të cilët 20 janë vajza. Pra, evidencat tona tregojnë se aktualisht janë më shumë vajzat ato që ndjekin universitetet se sa djemtë. Ky është një progres i shquar në rrugën e dijes. Kjo është një vlerë e çmuar për të gjithë. Kjo është një kënaqësi e madhe për brezin tonë e për gjithë fterjotët.

Për sa thamë, mund të konkludojmë se është në dobi të të gjithëve që ky progres të përparojë pa u ndërprerë, madje me ritme më cilësore. Kjo sepse, dhe trashëgiminë, dhe traditën e kemi. Mënçuria nuk na mungon. Por, koha e sotme kërkon një angazhim e një vullnet më të madh nga secili e nga të gjithë së toku, për të forcuar solidaritetin dhe bashkëpunim në komunitetin fterjot, si dhe me mjedisin e komunitetet ku jetojmë e punojmë.

 

Mbajtur në takimin e brezave në Fterrë, më 28 gusht 2004

 

© 2009 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode